Stuhi të forta shiu dhe përmbytje në Kaliforni, humbin jetën tre persona Partia Laburiste në opozitë përgatitet për një betejë të ashpër lidershipi, pasi udhëheqësi aktual Jeremy Corbyn refuzon t’u dorëzohet presioneve për largim nga posti. Corbyn e bëri të qartë se nuk do të dorëhiqet pas votës së britanikëve për largimin nga Bashkimi Europian, edhe pse u braktis nga një pjesë e mirë e ekipit të tij politikbërës, të cilët paraqitën edhe një mocion mosbesimi.
Ligjvënësja laburiste Angela Eagle deklaroi se, të hënën do të nisë zyrtarisht përpjekjen e zëvendësimit të Corbyn në krye të partisë, me argumentin se ka dështuar t’i drejtojë ligjvënësit laburistë si një grupim i organizuar dhe efikas në kërkesën e llogarisë ndaj ekzekutivit. Vet Corbyn i tha BBC-së se ndihej i zhgënjyer nga kjo sfidë, por këmbënguli se mandati i shumicës që e vendosi në këtë pozicion justifikon qëndrimin e tij.
“Epo jam i zhgënjyer, këtë nuk e fsheh, por është e qartë se ajo mund të bëjë çfarë të dëshirojë. Kemi punuar bashkë në qeverinë hije këto 6 muajt e fundit, ose 9 muaj më saktë. Ky ishte rasti kur mund të kishim ushtruar një presion të jashtëzakonshëm mbi qeverinë konservatore”, tha Jeremy Corbyn, kreu i Partisë Laburiste në Britani.
67-vjeçari iu bëri gjithashtu thirrje ligjvënësve laburistë të rebeluar ndaj tij, që t’i mendojnë edhe një herë veprimet e tyre, e shtoi se emri i tij do të jetë në fletën e votimit për lidership, edhe pse shumë politikanë laburistë e kanë vënë në dyshim një gjë të tillë.
Top Channel