Unioni i Prokurorëve ka shprehur shqetëtsimin për ato insinuatat e krerëve të shtetit, që shkojnë, sipas këtij institucioni, deri në nivelin e sulmeve personale ndaj anëtarëve të Unionit dhe funksionarëve të drejtësisë në tërësi.
“Insinuatat për të paraqitur prokurorët si palë me njërën ose tjetrën parti politike sa herë që fillojnë procedime penale apo kryen hetime paraprake për funksionarë ose ish-funksionarë të shtetit shqiptar, nuk janë në të njëjtën valë me kërkesat për një reformë të drejtë në drejtësi”, thuhet në një deklaratë për shtyp.
Në këtë njoftim, Unioni flet për një klimë shantazhi të paprecedentë që po ushtrohet ndaj funksionarëve të sistemit të drejtësisë në vend.
“Klima e shantazhit dhe presionit publik ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve është jashtë logjikës së funksionimit normal të institucioneve shtetërore dhe kjo mënyrë komunikimi ndikon negativisht në luftën e përbashkët kundër kriminalitetit”, vijon njoftimi.
Unioni i ka kërkuar ndihmë partnerëve ndërkombëtarë për të mos lejuar ndikimin e politikës, “që, për arsyet e saj, të ushtrojë presion të çdo lloj forme mbi punën e prokurorëve dhe jo vetëm”.
Top Channel