Çelja e Parlamentit në Skoci, Mbretëresha Elizabeth: Mos u nxitoni!

03/07/2016 00:00

Koha dhe vendi i prononcimit të parë të Mbretëreshës së Anglisë pas referendumit, ku u vendos që Britania të dalë nga BE-ja, vështirë se konsiderohen të rastësishme. Duke folur në sesionin hapës të Parlamentit të Skocisë, Mbretëresha Elizabeth theksoi nevojën që udhëheqësit politikë t’i japin kohë vetes për të menduar se cilat do të duhet të jenë hapat e ardhshëm për të përballuar sfidat në botën post-refrendum.

Edhe pse nuk iu referua drejtpërdrejt votës së “Brexit”, e cila shkaktoi tronditje në tërë sistemin politik të Britanisë, padyshim që monarkja ka pasur parasysh rezultatin, kur iu referua shpejtësisë së jashtëzakonshme me të cilën mund të rrjedhin ngjarjet.

E ndërsa shumica e popullsisë në Britani votoi për shkëputjen nga Brukseli, shumica e votuesve në Skoci mbështetën qëndrimin e mëtejshëm, çfarë ka shtyrë ministren e pare të Skocisë që të kërkojë një referendum të dytë në Skoci, duke e cilësuar një gjë të tillë si jashtëzakonisht të mundshme.

Nisur nga pozicioni i veçantë si sovrane, Mbretëresha e Anglisë asnjëherë nuk prononcohet për çështje të nxehta të politikës kombëtare dhe vendime të marra nga përfaqësuesit e zgjedhur. Kjo ishte arsyeja që Pallati Mbretëror reagoi ashpër ndaj lajmit të një gazete angleze në prag të referendumit, sipas të cilit kjo gazetë pretendonte se ishte në dijeni të mendimit të Mbretëreshës për çështjen e referendumit.

Fjalimi dhe mesazhi i Mbretëreshës në Skoci mendohet se ka për shqetësim, pikërisht dëshirën e përsëritur nga politikanët më të lartë të Skocisë për një referendum të dytë për ndarjen nga Mbretëria e Bashkuar, i cili është kërkuar pas votës për daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA