Elbasan, arrestohet administratorja e njësisë Gjergjan për shpërdorim detyre

01/07/2016 00:00

Policia e Elbasanit ka arrestuar administratoren e njësisë administrative Gjergjanit, Lumturie Hoxha. Ajo akuzohet për shpërdorim detyre.

Sipas policisë Hoxha ka falsifikuar dokumentet. Ajo ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Gjykata e Elbasanit vendosi masën arrest me burg edhe për 4 zyrtarë të tjerët të kësaj njësie administrative pasi dyshohen për “Shpërdorim detyre”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Korrupsion pasiv”.

Me veprimet e tyre, këta zyrtarë, sipas Prokurorisë së Elbasanit, i kanë shkaktuar shteti një dëm prej 350 milionë lekësh.

Prokuroria thotë se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, këta zyrtarë kanë kryer veprime fiktive në të paktën dy procedura prokurimi, duke përvetësuar thuajse tërësisht shumën e parave të caktuara për ndërtimin e një landfilli mbeturinash në zonë, si edhe të pyllëzimit të një sipërfaqe 50 hektarë me pemë shegë.

Nga ish-komuna Gjergjan është prokuruar fondi 1.250.000 lekë të rinj për ndërtimin e landifillit të mbeturinave në këtë zonë, në vitin 2014. Ky punim duhej të mbyllej brenda vitit. Aktualisht, nga veprimet hetimore të Prokurorisë, rezulton se landifilli jo vetëm që nuk është ndërtuar, por e gjithë zona është e rrethuar dhe përdoret nga një subjekt privat.

Top Channel