Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi shprehu keqardhje të thellë për sulmet terroriste në Stamboll.
“Ndajmë dhimbjen me popullin turk për ngjarjen tragjike të Stambollit. Terrorizmi mbetet sot rreziku më i madh për shoqëritë dhe stabilitetin e vendeve”, deklaroi ish-Presidenti i Republikës.
Aeroporti “Ataturk” i Stambollit u trondit të martën nga dy shpërthime të njëpasnjëshme, ku kanë humbur jetën të paktën 36 persona, ndërsa kanë mbetur të plagosur qindra të tjerë. Guvernatori i Stambollit tha se tre kamikazë në bashkëpunim mes tyre kanë kryer sulmin.
Dy ishin të pajisur me lëndë eksplozive dhe u hodhën në erë, ndërsa i treti ka shtënë me kallashnikovë në parkimin e aeroportit si një taktikë e njohur për të shpërqendruar vëmendjen e policisë.
Në vendin e ngjarjes mbërritën menjëherë ambulancat. Stambolli është blinduar nga siguria e lartë. Fluturimet në terminal janë pezulluar. Aeroporti është i treti më i madh në Turqi dhe sulmet kanë ndodhur në një periudhë kur fluksi i lëvizjeve është tepër i lartë. Sipas analistëve, “Ataturku” ka qenë një objektiv vulnerabel ndaj sulmeve të tilla.
Turqia është gjunjëzuar disa herë nga sulme të tilla, pasi është pjesë e fushatës së bombardimeve ajrore kundër ISIS, ndërsa vuan edhe luftën me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit. Në muajin mars, të paktën 37 persona mbetën të vrarë ndërsa një makinë bombë shpërtheu pranë një stacion autobusi në Ankara, një sulm që mbante vulën e militanteve kurd.
Top Channel