Gjykata e Apelit ka hequr masën “arrest shtëpie” për dy efektivët e Forcave Operacionale, Artion Duka dhe Entiol Xhelilaj. Apelimi i masës së sigurisë ishte bërë nga avokati Theodhori Sollaku. Drejtori i Forcave Operacionale dhe efektivi akuzoheshin për shpërdorim detyre dhe pengim të zbardhjes së të vërtetës në rastin e pajisjes së përgjimit.
Pas këtij vendimi, dy efektivët rikthehen automatikisht në detyrë.
Në 16 qershor, Gjykata e Apelit ndryshoi masën e pezullimit nga detyra ndaj drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako. Ky verdikt i tre gjyqtarëve Marie Qiriazi, Fiqirete Mullaj dhe Ervin Metalla do të thotë rikthim në detyrë i Çakos, i vendosur nën lupën e prokurorisë për dosjen e pajisjes “Imsi Cathcer”.
Nga ana e saj, prokuroria nuk ka vendosur ende nëse do t’i drejtohet apo jo me rekurs Gjykatës së Lartë.
“Nuk ekzistojnë dyshimet e arsyeshme dhe nuk mundet që drejtori i përgjithshëm, kur pajisja ka qenë në duart e Interforcës, të ndërhynte në të. Ndërkohë që autoritetet italiane i bënë të ditur gjykatës, një provë që e paraqitëm edhe ne, se ajo pajisje ka qenë në duart e policisë italiane”, deklaroi avokati i Çakos, Maks Haxhia.
Top Channel