Arrestimi i Frrokut konfirmohet nga policia. Nisin procedurat e ekstradimit

28/06/2016 00:00

Arrestimi i Arben Frrokut tashmë është zyrtar dhe këtë e bëri të ditur Policia e Shtetit përmes një komunikate për mediet mbrëmjen e së enjtes. Ajo që flitej prej pak orësh, tashmë është konfirmuar, madje policia thotë se kanë nisur edhe procedurat për ekstradimin e shtetasit Arben Frroku.

Sipas Interpol Tiranës mësohet se njoftimi nga Interpol Haga ka ardhur në orën 17:15 të kësaj pasditeje, ku informohej se në Holandë ishte identifikuar dhe arrestuar shtetasi shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia shqiptare, i akuzuar për vrasjen e komisarit të policisë Dritan Lamaj.

Komunikimet mes dy palëve respektive të policive ka qenë i vijueshëm prej disa ditësh, por vetëm ditën e sotme është konfirmuar se, shtetasi që ishte paraqitur me dokumente të falsifikuara, ekzaktësisht pasaportë greke nën emrin Renato Tsepa (lindur në Korçë), ishte pikërisht shqiptari Arben Frroku. Verifikimi, siç bëhet e ditur, është bërë pas krahasimit të gjurmëve të gishtave të dërguara nga autoritetet e vendit tonë për homologët holandezë.

Top Channel