
Elvis Rroshi thotë mirëpret ballafaqimin me drejtësinë e Sali Berishës dhe do të provojë pafajësinë. “Kam angazhuar avokatë të njohur italianë që janë skandalizuar me gjithë këtë sulm ordinerë ndaj meje. Ata më kanë siguruar se kjo është diçka e pabesueshme dhe betejën sado e gjatë të jetë do ta fitojmë”, deklaroi Rroshi në “Facebook”. Ndërsa arrestimin e cilësoi kriminal.
Ndërkohë socialistë, simpatizantë dhe punonjës të administratës bashkiake të Kavajës protestuan ndaj arrestimit dhe e cilësuan atë politik.
“Kjo është luftë politike. Jemi të bindur 100% ne kavajasit që ai s’ka faj”, u shpreh një protestues. “Shprehim indinjatën e thellë për këtë veprim të padrejtë për ndalimin e kryetarit. Ai është kryetar i gjithë qytetit, është njeriu më i dashur që ka qyteti dhe flas në emër të gjithë qytetarëve”, tha një tjetër.
Kreu i socialistëve të Kavajës, Gentian Daja, shprehet se protestat paqësore do të vijojnë. “Si ka mundësi? Çfarë drejtësie është kjo? Do të bëjmë protestën tonë paqësore në mbështetje të kryetarit sepse kryetari ka fituar me 8 mijë vota dhe e do i gjithë qyteti”, deklaroi ai.
Por për partinë Demokratike, e cila reagoi pas arrestimit kryetarit të Bashkisë së Kavajës Elvis Rroshi, po funksionon ligji i dekriminalizimit. “bashkë me Elvis Rroshin, opozita akuzon edhe kryeministrin Edi Rama dhe thotë se po vjen fundi i krimit në politikë dhe se ata do të përballen me ligjin deri në fund.
Top Channel