Në mesditë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë nisi me postë sekrete në adresë së Prokurorit të Përgjithshëm, kallëzimin penal ndaj ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Ndërkohë, ky i fundit reagoi në lidhje me këtë vendim të KLD-së, duke thënë se nuk e di dhe nuk i intereson përmbajtja e padisë, por kjo gjë nuk do ta ndalë të vijojë denoncimet.
“Jo një, por një milion padi të bëjnë kundër meje, nuk do të kenë kurrë mundësinë të më mbyllin gojën. Do t’i denoncoj emër për emër, fytyrë për fytyrë sa të kem frymë”, tha ministri Tahiri.
Duke i etiketuar si miliarderë, Tahiri theksoi se anëtarët e KLD-së janë pjesë e frontit të se keqes, që duan të pengojnë reformën në drejtësi.
“Këta miliarderë në KLD, që t’i mbledhësh bashkë shkojnë 5 miliardë e 760 milionë lekë pasuri e deklaruar, kanë konsumuar një akt të paprecedentë. Nuk është më Këshilli i Lartë i Drejtësisë, por është Këshilli i Lartë i Pasurisë dhe i Padrejtësisë, të cilët sot janë pjesë e frontit të së keqes, për të ndalur reformën në drejtësi”, deklaroi më tej Tahiri.
Tahiri tha gjithashtu se nuk ka gënjyer mbi denoncimet ndaj gjyqtarit Arian Aliaj, ndërkohë që nuk la pa përmendur as Osman Aliun, gjytarin e Kavajës, të cilin e ka denoncuar edhe më herët.
Top Channel