Në bazë të një hetimi të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, në bashkëpunim dhe me informacionin referues të Policisë së Shtetit, u arrit të zbulohen dhe të arrestohen disa persona, pjesë e një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.
Sipas një njoftimi zyrtar për shtyp, gjatë ditës së djeshme dhe asaj të sotme janë arrestuar shtetasit: Arben Kanina, 43 vjeç; Petro Kuçi, 43 vjeç; Mirel Ademi dhe Artur Shekulli, përkatësisht 30 dhe 41 vjeç.
Këta persona, me banim në Delvinë dhe Sarandë, dyshohet se në bashkëpunim me individë të tjerë, në të paktën dy episode të ndryshme kanë tentuar të trafikojnë në Itali rreth 85 kg kanabis, si dhe në Greqi rreth 670 kg të së njëjtit lloj lënde narkotike.
Në këto ngjarje, njëra prej të cilave ka ndodhur në vitin 2014, janë përfshirë një numër i madh personash, disa prej të cilëve janë arrestuar kohë më parë.
Top Channel