Instrumenta të reja për kirurgët e QSUT

07/06/2016 00:00

Kirurgët në shërbimin e kirurgjisë në QSUT, prej katër javësh kanë në duar sete me instrumente të rinj kirurgjikalë mundësuar nga një kompani gjermane dhe sterilizimi i tyre nga një kompani italiane.

“Janë vërejtur rezultatet e para mbresëlënëse. Infeksionet spitalore janë ulur në minimum, koha e ndërhyrjeve kirurgjikale është ulur dhe ekipet punojnë në kushtet e komfortit maksimal”, tha Edmond Çeliku, shef i Klinikës së Kirurgjisë.

Në qendrën spitalore në vend kryhen rreth 25 mijë ndërhyrje kirugjikale në vit.

“Ka katër javë që projekti ka nisur të zbatohet në shërbimin e profesor Çelikut. Janë realizuar 161 ndërhyrjet e para. Sot kemi të drejtë të themi me plot gojën se jemi pararojë krahasuar edhe me privatin”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
 
Por dhënia me koncesion e këtij shërbimi është kundërshtuar fort nga deputetë të opozitës.

“Partneriteti publik-privat, që këtu është banalizuar me fjalën e turpshme koncesion dhe është kthyer nga injorantët në një shfaqje të huaj. Nëse ne këtë projekt do ta financonim me paratë e buxhetit të shtetit, nuk do të shtrinim dot në 18 muaj në gjithë territorin, do të na duheshin ndoshta 18 vjet”, tha kryeministri Edi Rama.

Brenda 18 muajve, ky shërbim, falë partneritetit publik-privat do të shtrihet në të gjithë spitalet e vendit.

Top Channel