“Unë jam europianist dhe si i tillë nuk mund të mos përpiqem me gjithçka për t’i dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme, një drejtësi që nuk i mbron, por i ndëshkon qeveritarët e korruptuar dhe kriminelët. Dhe do të përpiqem patjetër të gjej gjuhën e përbashkët me kundërshtarin politik, por vetëm sipas standardeve europiane: për zgjedhje të lira dhe të ndershme, zgjedhje elektronike, numërim elektronik dhe një drejtësi të pakapur nga Koço Kokëdhima, nga Emiliano Shullazi dhe nga Habilajt”.
Edhe pse Lulzim Basha deklaron se do të përpiqet të gjejë gjuhën e përbashkët me kundërshtarin për Reformën në Drejtësi, me kushtet për Reformën Zgjedhore, kur kanë mbetur më pak se 24 orë nga takimi i së hënës, stafet e të dyja palëve duken larg rakordimit të axhendës.
Burime nga Kryeministria bëjnë të ditur për Top Channel se janë ende në pritje të koordinimit me kabinetin e kryetarit Basha sa i përket detajeve të fundit përpara takimit. Këto detaje, shtojnë të njëjtat burime, përfshijnë edhe formatin e takimit, numrin e personave që do të shoqërojnë Ramën dhe Bashën dhe nivelin e përfaqësimit të tyre.
Ndërkohë, nga Partia Demokratike nuk ka asnjë koment, ashtu si ditën e parë kur u fol për takimin e pritshëm Basha-Rama.
Top Channel