SHBA, Paul Ryan jep përkrahjen e tij për Donald Trump

02/06/2016 00:00

Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, i cili është njëkohësisht edhe republikani me postin më të lartë aktualisht në Shtetet e Bashkuara për partinë e tij, deklaroi të enjten përmes një publikimi në rrjetin social “Twitter”, se do të votonte për të nominuarin tashmë zyrtar republikan për Donald Trump.

Në mesazhin e tij, që e lidhte me një artikull të faqes së internetit “The Janesville Gazette”, gazetë e vendlindjes së tij, Ryan argumentonte se Trumpi “do të ndihmonte në kthimin e axhendës së republikanëve të Dhomës në ligje”.

Një zëdhënës i Ryan saktësoi më pas se ekipi i këshilltarëve të kreut të Dhomës së Përfaqësuesve “nuk po luanin lojëra fjalësh”, ndaj dhe kushdo “mund të jetë i lirë ta konsiderojë këtë edhe si një miratim”.

Në artikullin e tij për “Gazette”, Ryan shkruan se nëse Shtëpia e Bardhë do të udhëhiqej nga kandidatja demokrate Hillary Clinton, kjo “do të thotë favorizim edhe për 4 vite të tjera të miqve liberalë dhe një qeveri që do të shërbente më shumë për vetveten, sesa për popullin”.

Trump, shkruan Ryan, do të ishte një aleat më i përshtatshëm.

“Nuk është sekret tashmë që ai dhe unë kemi dallime. Nuk mund të pretendoj të kundërtën. Dhe kur ta shoh të nevojshme, unë do të vazhdoj të flas sipas asaj që mendoj unë”, shkruan Ryan. “Por, realiteti është se, për çështje që përbëjnë edhe axhendën tonë, ne kemi më shumë gjëra të përbashkëta sesa mosmarrëveshje”.

Ryan i është shmangur përgjigjes nëse do ta miratonte një kandidim të Trumpit për president në radhët e republikanëve prej javësh, duke thënë madje në maj se “nuk ishte i gatshëm” ta jepte përkrahjen e tij të plotë për biznesmenin njujorkez.

Menjëherë pas shpalljes së Ryan, lëvizja e tij u përgëzua nga ish-kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, Newt Gingrich.

Top Channel