
Shqipëria është bërë pjesë e Planit të Veprimit të Mekanizmit Bashkëpunues në fushën e pyjeve, ndërmjet Kinës dhe 16 vendeve të tjera të Europës Lindore dhe Qendrore.
Në takim të nivelit të lartë që mbahet në Slloveni, ishte Ministri i Mjedisit, Lefter Koka.
“Jam i bindur se bashkëpunimi dhe ekspertiza që do të ofrojë zyra e koordinimit në Slloveni do të jetë thelbësore për të garantuar suksesin e këtij bashkëpunimi në të gjitha nivelet, si në afatshkurtër dhe në afatgjatë”, tha ministri Koka.
Shqipëria dhe 15 vende të tjera që nënshkruan planin, ranë dakort për mbështetje të bashkëpunimit në menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve, multi-funksionalitetit të tyre dhe mbrojtjes së ligatinave dhe jetës së egër.
Shkëmbimin i informacionit e praktikave më të mira dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën e pyjeve sikurse dhe shkëmbime shkencore si ndarja e njohurive dhe kërkimeve në sektorin e pylltarisë dhe industrisë së përpunimit të drurit.
Ky takim mbahet disa muaj pas nënshkrimit në Pekin të memorandumit të mirëkuptimit për krijimin e këtij mekanizmi mes Republikës së Sllovenisë dhe Republikës Popullore të Kinës.
Top Channel