Parlamenti grek ka miratuar me shumicë votash, 153 nga 298 të pranishmit në sallë, projektligjin e paketës së madhe të masave dhe reformave, kusht për marrjen e ndihmës financiare prej 85 miliardë euro nga kreditorët.
Por koalicioni qeveritar ka regjistruar një votë më pak në votimin nen për nen, pasi një deputete e Syrizës ka votuar kundër ligjit për krijimin e një mekanizmi i cili do të shkurtojë automatikisht pagat dhe pensionet si dhe kundër krijimit të fondit të privatizimit dhe shfrytëzimit të pasurisë shtetërore.
“Zgjedhjet e ardhshme do të bëhen në vitin 2019”, ka deklaruar kryeministri Tsipras, duke iu përgjigjur kritikave të kreut të opozitës konservatore.
Me këtë rezultat votimi, Athina shkon në Eurogrupin e ditës së martë me shpresën që kreditorët të zhbllokojnë fillimisht një këst nga 5.5 deri në 10,5 miliardë euro për Greqinë, e cila duhet që brenda dy muajsh të paguajë disa detyrime financiare ndaj FMN-së dhe BQE-së.
Gjithashtu, qeveria greke shpreson të marrë një përgjigje pozitive edhe përsa i përket procedurave për një formë të lehtësimit të borxhit kolosal të vendit, duke përfituar një periudhë kohore për maturimin e obligacioneve nga viti 2018, nëqoftëse arrin deri atëherë teprica primare.
Optimizmi i Athinës qëndron edhe në faktin se sipas së përditshmes “Sueddeutsche Zeitung”, kancelarja gjermane Angela Merkel duket se ka urdhëruar ministrin e saj të Financave, Ëolfgang Shcauble, të mbylle sa më shpejt, para samitit të G7-s në Japoni javën tjetër, marrëveshjen me Greqinë.
Top Channel