Elbasan, Drejtoria e Bujqësisë nis aksionin në tregun e gjësë së gjallë

22/05/2016 10:25

Drejtoria e Bujqësisë në Qarkun e Elbasanit ka nisur një aksion i cili ka përfshirë tregun e gjësë së gjallë, farmacitë bujqësore dhe fermat, aksion i cili ka si qëllim kryesor mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit dhe disiplinimin e këtij sektori.

Specialistët kanë verifikuar certifikatat e kontrollit veterinar, matrikulimin e gjësë së gjallë, por edhe pajisjen e drejtuesve të mjeteve me leje të posaçme për transport kafshësh. Drejtoria e Bujqësisë thotë se aksionet e nisura do të kenë formën e sensibilizimit, por shumë shpejt do të merren edhe masa në rast shkeljesh.
 
Kontrollet gjithashtu janë përqëndruar në farmacitë bujqësore për të identifikuar medikamente jashtë listës së miratuar nga Ministria e Bujqësisë, medikamente të skaduara apo hormonale. Sipas drejtorit të Bujqësisë, Spiro Hunçi, tashmë asnjë medikament në farmacitë bujqësore nuk do të lëshohet pa recetë.
 
Drejtoria e Bujqësisë thotë se në rast të identifikimit të kafshëve pa certifikatë veterinare, masat variojnë nga 25 mijë-50 mijë lekë të reja, ndërsa farmacitë bujqësore që tregtojnë medikamente të ndaluara do të përballen me gjoba nga 100-200 mijë lekë të reja, deri në mbyllje të aktivitetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA