Dita pa makina, bashkia “ekspozon” projektin e sheshit “Skënderbej”

22/05/2016 00:00

Dita pa makina është rikthyer sërish këtë të dielë në Tiranë. Qytëtarët kanë zgjedhur të shijojnë pushimin si këmbësorë, duke marrë biçikletat, duke kalëruar me poni, apo duke aplikuar zhanre sportive në bulevard.

Pranë sheshit “Skënderbej”, shumë prej tyre janë ndalur në stendën e syzeve “VR” (Realiteti virtual), duke parë në version tredimensional projetin e ri të këtij sheshi pedonal.

“Rikthehet pas një kohe të gjatë me reshje shiu, sërish dita pa makina, si një ndër traditat që ne duam të fusim në qytet, por edhe si një prelud i faktit që së shpejti sheshi “Skënderbej” do të shndërrohet në një shesh pedonal. Sot kemi vënë gjithashtu një metodë për të eksploruar sheshin, teksa njerëzit u ftuan që përmes syzeve të shohin sesi do të duket sheshi pas punimeve”, tha Arbian Mazniku, nënkryetar i Bashkisë së Tiranës.

Së shpejti do të fillojnë punimet për ndërtimin e projektit të ri të sheshit “Skënderbej”, ndërkohë që deri në kthimin e tij në pedonale, çdo e dielë do të jetë një e tillë.

“Ne jemi në fazën e fundit të hartimit të detajeve për projektin e sheshit. Shumë shpejt do të fillojnë punimet për këtë shesh, të cilat pritet të zgjasin rreth një vit. Më pas do të kemi mundësi që sheshi të jetë në mënyrë përfundimtare pedonal dhe i gjithi për qytetarët”, deklaroi më tej Arbian Mazniku.

Përmes ditës pa makina, nga ora 9 e mëngjesit e deri në mbrëmje, qyteti i vihet më shumë në dispozicion qytetarëve, çfarë përkon edhe me projektin e Bashkisë së Tiranës për një jetë më sociale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB