Austri, balotazhi presidencial. Pretendent një ekstremist i djathtë për kreun e shtetit

22/05/2016 00:00

Votuesit austriakë u janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur presidentin e tyre të ri në balotazhin e së dielës. Nëse fiton Norbert Hofer, siç është parashikuar, ai do të ishte presidenti i parë i ekstremit të djathtë që fiton në Bashkimin Europian.

Hofer i përket Partisë së Lirisë dhe përballet në balotazh me të pavarurin Alexander Van der Bellen, i cili ka mbështetjen e “Të gjelbërve”. Hofer u rendit i pari në raudin e parë, por nuk mundi që të merrte shumicën për t’u shpallur president.

Për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, dy partisë kryesore të qendrës dolën nga gara në raundin e parë, ndërsa zgjedhjet dhe fushata që i parapriu ishin të dominuara nga kriza e emigrantëve.

Vitin e shkuar, 90 mijë njerëz kërkuan azil në Austri, numër i barazvlefshëm me 1% të popullsisë, ndaj dhe Partia e Lirisë zhvilloi një fushatë antiemigracion. Megjithëse Presidenca është një post kryesisht ceremonial, kreu i shtetit austriak ka fuqinë që të shpërndajë qeverinë.

Në raundin e parë të zhvilluar në prill, Hofer siguroi 35% të votave, ndërsa van der Bellen 21%. Në mitingun e fundit para zgjedhjeve, Hofer tha se emigrantët duhet të integrohen që të qëndrojnë në Austri, ndërsa për të tjerët që nuk duan ta bëjnë këtë, nuk ka vend.

Pasi kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, dhe ai i Parlamentit Europian, Martin Schulz, shprehën shqetësimin se Hofer mund të bëhej president, kandidati i së djathtës ekstreme tha se Asutria nuk merr urdhra as nga Brukseli dhe as nga Berlini.

Sipas analistëve, mbështetja për Partinë e Lirisë u rrit ndjeshëm së fundmi, pasi votuesin ishin të zhgënjyer nga partitë kryesore dhe kriza e emigrantëve thjesht e shtoi zhgënjimin e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA