Çdo ditë e dielë, deri në fillimin e punimeve për Sheshin Skënderbej në Tiranë, do të jetë një ditë pa makina në segmentet rrugore që lidhen me qendrën e kryeqytetit.

Bashkia njofton se nisma e kthyer në traditë tashmë, ka si synim të jetë gjithpërfshirëse për qytetarët, ndërsa do të organizohen edhe aktivitete kulturore e argëtuese për të gjithë, krahas bllokimit të rrugëve për automjetet.

Ndërkohë, një listë e gjatë aktivitetesh do të organizohen gjatë ditës. Në Parkun Rinia do të ngrihet kinemaja verore, ku do të shfaqet dokumentari “Një turist në Tiranë”. Në të njëjtin vend të apasionuarit e fotografisë do të mund të shohin një ekspozitë me fotot e Kalave të Tiranës dhe monumenteve të natyrës së qytetit. Gjithashtu, në park do të organizohet edhe Panairi i Mjedisit me artizanë që punojnë lëndën e riciklueshme.

Sheshi Skënderbej do të jetë gjithashtu i pakalueshëm për automjetet, ndërsa aty do të jetë një tjetër stacion argëtimi. Të rinjtë do të kenë mundësi të ndjekin koncerte të rrymave të ndryshme muzikore, ndërsa për fëmijët janë parashikuar lojëra të ndryshme.

Sa i takon lëvizjes në qytet, bashkia njofton se transporti urban do të vijojë normalisht, por do të devijohen stacionet që i përkasin zonave me trafik të kufizuar.

Top Channel