Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi me 2 vjet burg Arjan Kalajën, i cili akuzohej për gjobëvënie ndaj një anëtari të Gjykatës së Lartë.
Bëhet fjalë për anëtarin e Gjykatës së Lartë Admir Thanza, ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese e po ashtu ish-anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i gjobitur me një mesazh në telefon.
Për këtë çështje po gjykohet shtetasi Arjan Kalaja nga Shkodra, i cili akuzohet për shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie. Çështja është mbajtur tepër sekret për shkak të statusit të personit ndaj të cilit është vendosur gjoba, një jurist i njohur prej 24 vitesh dhe që aktualisht është pjesë e kolegjit penal në Gjykatën e Lartë.
Burimet thone se i pandehuri Kalaja ka dërguar në vitin 2013 një mesazh ne telefonin e gjyqtarit Thanza me tekstin “Më sill 8 mijë dollare ndryshe do të çoj tek Fiksi”.
Për tre vjet organet e hetimit kanë hetuar se kujt i përkiste numri i telefonit, i cili ishte blerë në tregun e zi e për pasojë ishte e vështirë të identifikohej. Procesi penal drejtohet nga gjyqtari i krimeve të rënda Fran Prendi, ndërkohë që i dyshuari po gjykohet në gjendje të lirë.
Vetë i akuzuari ka deklaruar se mesazhi i gjobëvënies ishte dërguar nga djali i tij, i cili ka ndërruar jetë nga një sëmundje. Gjyqtari Admir Thanza, më herët ka qënë gjyqtar në gjykatën e Tiranës, anëtar i KLD-së nga 2004 deri në 2009, anëtar i Gjykates Kushtetuese nga 2009 deri më 2013 e më pas anëtar i Gjykates së lartë.
Top Channel