Dokumente të falsifikuara, sekuestro preventive ndaj 20 mijë m2 në Himarë

20/05/2016 00:00

Prokuroria e Vlorës ka vendosur sekuestro preventive për 20 mijë m2 katror tokë në zonën e Palermos në Himarë. Kjo për shkak se dyshohet se ky truall është përfituar nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara nga Vasil Rrapo.

Hetimet kanë nisur pas kallëzimit të disa personave që zotërojnë dokumentacionin e trashëgimisë së ligjshme mbi pronën. Aktualisht ajo është regjistruar në emrin e Rrapos në hipotekën e Vlorës.

Në bazë të hetimit, Rapo ka përfituar tokë në bazë të ligjit nr.7501/1991 “Për tokën” një sipërfaqe prej 9582 m2. Por, në Hipotekën e Vlorës, sipërfaqja e tij rezulton 29.582 m2. Prokuroria ka bërë veprimet e nevojshme hetimore, nga ku ka rezultuar se është falsifikuar dokumenti për marrjen e tokës, në të cilin është shtuar numri “2” përpara shifrës së sipërfaqen reale, duke e shndërruar pronësinë e shtetasit Vasil Rrapo nga 9582 m2 në 29.582 m2.

Në vijim, Prokuroria e Vlorës ka konstatuar se pjesa më e madhe e kësaj sipërfaqe, e cila është regjistruar në hipotekë në emër të Vasil Rrapos, është tjetërsuar, duke u shitur te persona të tretë ose duke u dhuruar.

Prokuroria e Vlorës ka kërkuar në Gjykatë vendosjen e sekuestros preventive për 20.000 m2, e cila është pjesa e sipërfaqes, e dyshuar si e përfituar në mënyrë të paligjshme nga shtetasi Rrapo dhe që më pas u është shitur personave të tjerë.

Top Channel