Shumica e njerëzve, 80% e tyre, do t’i pranonin refugjatët në vendin e tyre, madje shumë thonë se do t’i merrnin edhe në shtëpi. Ky është rezultati i një sondazhi të porositur nga Amnesty International, i cili tregon se Kina, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar janë vendet më mikpritëse.
Sondazhi gjithashtu tregon edhe anën tjetër të medaljes, ku duket se vendet me sjelljen më negative ndaj refugjatëve janë Rusia, Indonezia dhe Tajlanda. Në sondazh u anketuan 27 000 njerëz nga 27 vende të botës dhe ata u pyetën nëse do të pranonin refugjatë në shtëpitë e tyre, në lagjet, qytete apo vendet e tyre, apo do të ishin kundër lejimit të refugjatëve. Kina është në vendin e parë të listës së mikpritjes me 85% të qytetarëve të saj të gatshëm të mirëpresin refugjatët, Gjermania në vendin e dytë me 84% dhe Britania e treta me 83%.
Sipas sondazhit, edhe në vende si Greqia apo Libani, të cilat mbajnë një barrë shumë të madhe emigrantësh, njerëzit janë ende të gatshëm të pranojnë të tjerë që i largohen vështirësive, duke i futur këto dy vende në dhjetëshen e parë të listës së mikpritjes.
Në krahun tjetër, Rusia është në vendin e fundit të listës me vetëm 18% e qytetarëve që janë dakrod të pranojnë emigrantë në vend. Amensty International tha se rezultatet e sondazhit janë mjaft të qarta dhe tregojnë se njerëzit janë të gatshëm të mirëpresin refugjatët, por janë qeveritë që po tregohen çnjerëzore me krizën e refugjatëve dhe injorojnë pikëpmajet e qytetarëve të tyre.
Top Channel