Policia e Tiranës ka njoftuar arrestimin e 3 personave, pjesëtarë të të njëjtit fis, të cilët janë konfliktuar me njëri-tjetrin ditën e dielë, pranë xhamisë së Farkës së Madhe.
Personat e arrestuar janë 61-vjeçari Xhevdet Aga, 37-vjeçari Shkëlqim Aga dhe 61-vjeçarja V. Aga. Ndalimi i këtyre shtetasve u bë pasi shtetasi H. Aga, duke udhëtuar me mjetin e tij, pranë xhamisë në Farkë të Madhe, është goditur nga mbrapa nga mjeti tip “Audi” me drejtues shtetasin Shkëlqim Aga (kushërinj të parë), ku më pas janë konfliktuar me mjete të forta. Si pasojë, H. Aga është dërguar në SQUT për mjekim.
Shkëlqim Aga, i biri i Xhevdet Agës, ka shkuar në banesën e tij dhe ka marrë një armë zjarri tip automatik dhe ka shkuar tek banesa e shtetasit A. Aga, babai i të dëmtuarit (vëllai i Xhevdetit). Pas konfliktit verbal me A. Agën dhe bashkëshorten e tij, shtetasen S. Aga, ka qëlluar me armë muret rrethuese të baneses së A. Agës dhe është larguar.
Më pas, ka vijuar konflikti midis shtetasve Xhevdet Aga me të vëllain A. Aga dhe nusen e tij S. Aga, ku kjo e fundit është dhunuar fizikisht nga Xhevdet Aga.
Nga hetimet e kryera si dhe nga kqyrja e vendit të ngjarjes është faktuar se shtetasja V. Aga (e ëma e shtetasit Shkëlqim Aga), ka mbledhur gëzhojat e armës në vendin e ngjarjes dhe ka bërë fshehjen e tyre.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një armë zjarri tip kallashnikov me dy krehëra dhe 21 copë fishekë.
Top Channel