
Tre zyrtarët e lartë të Autoritetit Rrugor Shqiptar do të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimeve pas aksidentit të ndodhur pasditen e 8 majit në aksin rrugor Plepa-Qerret, në Kavajë.
Gjykata e Kavajës e ka vleftësuar si të ligjshëm ndalimin e shtetasve Dritan Fejzo, drejtori juridik i ARRSH-së, Bib Gjomakaj, drejtori rajonal i Autoritetit Rrugor të Tiranës dhe Lek Tushaj, drejtori i sigurimit të cilësisë pranë ARRSh-së.
Në seanca të veçanta gjyqësore të zhvilluara pa praninë e medias, gjyqtarja Entela Shedula, pasi ka dëgjuar palët, la në fuqi kërkesën e organit të akuzës së Kavajës, arrest në burg për treshen e zyrtarëve. Fejzo, Gjomakaj dhe Tushaj akuzohen për shpërdorim detyre. Ata u ndaluan me urdhër të Prokurorisë së Kavajës në vijim të hetimeve të nisura kryesisht pas aksidentit të ndodhur pasditen e 8 majit në aksin rrugor Plepa-Qerret, në Kavajë.
Në këtë aksident rrugor humbën jetën dy fëmijë: Dritan dhe Aliçe Negollari, përkatësisht 5 dhe 3 vjeç, të cilët ndodheshin në automjetin e drejtuar nga nëna e tyre. Nga veprimet hetimore, Prokuroria e Kavajës dyshon se pasojat e aksidentit rrugor do të ishin më të vogla nëse siguria rrugore e aksit ku ka ndodhur ngjarja do të ishte më e lartë.
Top Channel