Policia e Korçës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Radaneci”, duke vënë në pranga 7 persona dhe procedohen penalisht 2 të tjerë për shpërndarje të lëndëve narkotike të llojeve të ndryshme.
Personat e arrestuar janë: Dy vëllezërit Islajd dhe Arjan Shalcanj, përkatësisht 27 dhe 22 vjeç; Maril Pano, 26 vjeç, Bledar Haxhi, 35 vjeç, Astrit Shalcanj, 55 vjeç, Naumand Cico, 25 vjeç, Mikel Shalcanj, 22 vjeç, të gjithë banues në Korçë.
Policia ka bërë të ditur se në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, si edhe gjatë kontrollit personal dhe të banesave të shtetasve të lartpërmendur, të ushtruara nga shërbimet e Policisë u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 322 gram lëndë e dyshuar narkotike e llojit Kokainë, 9 gram bimë e dyshuar narkotike Cannabis Sattiva, 1 peshore elektronike, 2 fishekë të kalibrit 9 mm, një sasi kartëmonedhash prej 210 Euro dhe 40.500 lekë të reja, 5 automjete, 12 aparatë celularë, si dhe dy kompjuterë.
Nga hetimet e kryera, dyshohet se këta shtetas e shpërndanin lëndën narkotike (të ndarë në doza) në qytetin e Korçës.
Tashmë mbi personat e arrestuar rëndojnë akuzat për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim”, si edhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, në ngarkim të shtetasit Mikel Shalcanj.
Top Channel