Marshimi i LGBTI, kërkojnë të drejtat dhe ligjërimin e familjes

14/05/2016 00:00

Përfaqësues të komunitetit LGBTI kanë pedaluar përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” duke kërkuar respektimin e të drejtave të tyre nga shoqëria dhe nga politika.

“Ne si qyetar të këtij vendi na vjen turp që nuk ka asnjë përfaqësues të qeverisë dhe politikës shqiptare, po vetëm miq të komuniteti ndërkombëtar”, tha Kristi Pinderi, përfaqësues i komunitetit LGBTI.

“Ka shumë persona nga komuniteti që akoma nuk kanë guximin të dalin hapur e të pedalojnë këtu me ne për shkak të diskriminimit. Ne sot do pedalojmë për gjithë të rinjtë e të rejat që diskriminohen çdo ditë në shkolla, dhe për të gjithë ata persona LGBT që abuzohen nga familjet e tyre ”, u shpreh Xheni Karaj përfaqësuese e komunitetit LGBTI.

Në këtë të shtunë me shi në pedalimin e tyre, komuniteti LGBTI në Tiranë është mbështetur nga përfaqësues të ambasadave të huaja dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë.

“Kam respekt të madh për guximtarët që luftojnë për të drejtat e njerëzve LGBTI”, tha ambasadori amerikan Donad Lu.

Avokati i Popullit i ka bërë thirrje politikës të respektojë të drejtat e këtij komuniteti.

“Politikanët shqiptarë, udhëheqësit tanë të kenë të njëjtin guxim si këta qytetarë dhe të japin me guximin e tyre të gjitha të drejtat që ju takojnë dhe ata çka kanë kërkuar”, u shpreh Igli Totozani, Avokat i Populit.

Top Channel