Kërkohet burg për ish-kreun e komunës, bleu bojë printeri pa patur printer

14/05/2016 00:00

Prokuroria e Matit kërkon dënimin me 18 vjet burgim për 7 persona, të cilët në momentin e kryerjes së veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikimit të dokumentave” kanë qenë në funksionin e kryetarit dhe zyrtarëve të komunës Lis, në Burrel.

Kryetari i ish-komunës Lis, Agim Selita, i cili ka mbajtur këtë funksion deri në shkrirjen e komunave, si edhe 6 persona të tjerë, akuzohen nga Prokuroria e Matit se, me veprimet e tyre, i kanë sjellë shtetit një dëm në vlerën e rreth 10 milionë lekëve të reja.

Nga hetimi i Prokurorisë, i cili ka nisur pas kallëzimit të bërë nga ana e disa shtetasve, kanë rezultuar pagesa fiktive në shërbime publike dhe të brendshme të komunës, procedurë prokurimi për blerjen e 160 tonerave bojë printeri, në një kohë që në komunë nuk ka printer dhe shitja e makinës së komunës tip Land Rover për 1.25 mln lekë, ndërkohë që vlera e saj është 18 milionë lekë, tek kryetari i komunës.

Në përfundim të gjykimit, për shkeljet e konstatuara si më sipër, Prokuroria e Matit kërkon dënimin për ish-kryetarin e Komunës Lis, Agim Selita me 4 vjet burg dhe 5 vjet heqje e të drejtës për ushtrim detyre në funksione publike, 5 vjet burg për Dritan Farricin, ish-zyrtar i komunës, 2 vite e 6 muaj burg për Liljana Aliaj, ish-zyrtare e Komunës, 2 vite burg për Dashamir Panxha, Qemal Marqeshi dhe Hismet Barhanin, ish-zyrtarë të komunës dhe një vit burg për Ismail Brahimetaj.

Top Channel