Akuzat e Dumës, reagon administratori i kompanisë së tenderit fitues

13/05/2016 00:00

Administratori i kompanisë “Pienvis”, Pilo Keri ka reaguar në lidhje me akuzat që i janë bërë nga deputetja demokrate, Grida Duma. Ai shpjegon se, kompania e tij mban vetëm 30 për qind të punimeve për mirëmbatjen e rrugës Plepa-Kavajë-Rrogozhinë.

Keri shpjegon se, bazuar në aktmarrëveshjen midis dy shoqërive, më 20 janar të 2016-s, “Pienvis Sh.p.k.” ngarkohet për mirëmbajtje rutinë të rrugës, siç është dorëzuar nga autoriteti kontraktor, pastrimin, sipërfaqet e dëmtuara të asfaltit dhe jo sinjalistikë dhe punime emergjente, vetëm për gjatësinë nga Unaza e Qytetit të Durrësit deri te Rrethrrotullimi i Malit të Robit, prej 16.45 km.

Kjo kontratë nuk parashikon punimet e rehabilitimit, vendosjen e elementeve të sigurisë rrugore. Në reagim shpjegohet edhe kërkesa për të mbajtur hapur kalimin në rrugën ku ndodhi edhe aksidenti.

Në njoftim thuhet se, shoqëria “Pienvis”, përveçse ka kërkuar të drejtën e saj sipas vendimit të gjykatave, i ka kërkuar edhe në mënyrë të vazhdueshme firmës zbatuese të punimeve, zbatimin e një mbylljeje të përkohshme me qëllim garantimin e sigurisë rrugore nga aksidentet, por këto kërkesa asnjëherë nuk u zbatuan nga shoqëria ndërtuese.

Administratori thotë se do t’i drejtohet gjykatës për ato që quan informacione të pavërteta të pasqyruara në disa media.

Top Channel