
Pas daljes së jashtëzakonshme për mediat të Presidentit Bujar Nishani, i cili iu përgjigj akuzave të bëra nga Bashkia e Tiranës në lidhje me çështjen e ndërtimeve në digën e liqenit artificial, ka reaguar sërish kjo e fundit përmes një deklarate me shkrim për mediet.
“Bujar Nishani nuk bëri gjë tjetër veçse konfirmoi edhe njëherë se është një ‘lodër’ në duart e njërit prej biznesmenëve të familjes, duke humbur kështu legjitimitetin e të qenit përfaqësues i unitetit të popullit”, shkruhej në deklaratën e bashkisë.
Bashkia vijon më tej duke thënë se, presidenti pranoi të ishte një “lodër” në duart e interesave të zymta që mbajnë peng Reformën në Drejtësi, por edhe çështjen e pallateve të diga e liqenit, ku siç thonë nga institucioni në fjalë, “drejtësia është molepsur me biznesin dhe ka shfaqur fytyrën e saj të vërtetë”.
“Si mund të dalë presidenti hapur kundër një parku lojërash për fëmijë, në emër të luftës kundër betonit, dhe nga ana tjetër mbështet po kaq hapur një lojë të shpifur korrupsioni, në një gjykatë që vendos ‘a do kemi park për fëmijët, apo një mal të rrezikshëm betoni’ ngjitur me digën e liqenit?!”, vijonte më tej deklarata e Bashkisë së Tiranës.
Në fund thuhet se, ditën e premte, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj do t’u drejtohet qytetarëve për shpalljen e hapur të aleancës mes presidentit dhe korrupsionit në çështjen e malit të betonit, që gjykata kërkon ta legjitimojë duke shkelur ligjin.
Top Channel