I vunë gjobë 50 mln lekë biznesmenit, arrestohen dy persona në Tiranë

12/05/2016 00:00

Oficerët e seksionit për Krimet ndaj Pronës në bashkëpunim me ata të sektorit e Forcës së Posaçme Operacionale të Tiranës, në kuadër të operacionit të koduar “Biss”, arrestuan në flagrancë dy shtetas.

Sadik Dinga dhe Ervis Alla i kishin vënë gjobë 50 milionë lekë një biznesmeni që ka në pronësi një shoqëri transporti ndërkombëtar mallrash, ndërsa janë arrestuar tek “Zogu i Zi” në momentin kur të ndaluarit po përgatiteshin të merrnin shumën e kërkuar 59-vjeçar I.A..

Dinga, 27-vjeçar, banues në Durrës, ka qenë i dënuar edhe më parë për veprën falsifikim monedhash, ndërsa 29-vjeçari Alla, banues në Krujë, është pronar i mobilierisë “Vllaznia”.

Sipas raportit të policisë, dy të arrestuarit besohet se më parë i kanë vënë gjobë edhe dy biznesmenëve të tjerë. Rasti i parë besohet të ketë si viktimë një biznesmen në dhënie me qira ambientesh, 60-vjeçarit B.K., të cilit i ishin kërkuar 50 milionë lekë.

Ndërsa rasti i dytë besohet të ketë ndodhur në qytetin e Durrësit, ku një pronari të një mobilierie, shtetasit A.L., i është kërkuar me anë të kanosjes shuma e 30 milionë lekëve.

Gjatë operacionit, në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi 3 aparate celulare të markave të ndryshme si dhe 5 karta sim të kompanive të ndryshme, sende këto të cilat dyshohen të kenë shërbyer për kryerjen e veprës penale.

Top Channel