Breshëri plumbash ndaj shtëpisë së Shtrazës, plagoset 12-vjeçari

12/05/2016 10:10

Një 12-vjeçar ka mbetur i plagosur në një breshëri plumbash të shtëna mbi shtëpinë e Denis Shtrazës, figurë e njohur e krimit në vend, në qytetin e Durrësit.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03.00 të mëngjesit të sotëm, kur persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës që ndodhet në lagjen numër 1 të qytetit, në rrugën e Kodër-Vilës.

Sipas burimeve zyrtare të drejtorisë lokale të policisë, një plumb rikoshet ka plagosur nipin 12-vjeçar të Denis Shtrazës, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Shtraza është i dyshuari kryesor për rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut në fillim të këtij viti. Ai u kap në aeroportin e Rinasit teksa tentonte të largohej nga vendi.

Vrasja e Çollakut dyshohet se ishte hakmarrje për atë të Ervin Kodrës, mik i Shtrazës, që u vra së bashku me një të ri nga Vlora 20 dhjetorin e kaluar, ndaj dyshimet ranë mbi të.

Specialistët për krimet dhe grupi hetimor po kryejnë veprimet proceduriale për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si edhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA