Aksidenti i Golemit, Apeli urdhëroi vendosjen e parmakëve në rrugë

11/05/2016 00:00

Katër ditë pas aksidentit tragjik ku humbën jetën 2 fëmijë, rruga dytësore e aksit plepa-kavajë-rrogozhinë vijon të jetë e hapur pa barrierat mbrojtëse me autostradën, për të favorizuar një karburant aty pranë.

Top-Channel ka siguruar vendimet gjyqësore në vite, ku në përfundim Gjykata Administrative Tiranë ka rrëzuar hapjen e saj.

Në mars të 2011 gjykata e Kavajës urdhëroi kompaninë ndërtuese të pezullonte punimet për vendosjen e barrierave të siguriëe.

Ndërsa në qershor të 2013-ës gjykata e shkallës së parë Tiranë do t’i jepte të drejtë shoqërisë “Pienvis” të mbante të hapur kalimin pa barriera siguruese për lidhjen e autostradës me rrugën dytësore në mënyrë që automjetet të lëviznin për furnizim në një pikë karburanti pronë e kompanisë Pienvis.

Por ky vendim prishej rreth një vit më vonë nga gjykata administative e cila gjithashtu vendosi edhe pushimin e gjykimit të çështjes. Ndërkohë prokuroria e Kavajës e cila ka nisur hetimet kryesisht pritet të marrë në pyetje në ditët në vijim zyrtarë përgjegjës për menaxhimin e rrugës për të zbuluar se përse rruga, nuk është mbyllur me barrierat e sigurisë pas vendimit të gjykatës së Apelit Administrativ.

Haxhinasto: Mbështetje hetimit për aksidentin e Golemit

Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto i është përgjigjur interesit të mediave lidhur me aksidentin rrugor që u mori jetën dy fëmijëve duke shprehur mbështetjen e tij për hetimin.

“Ka një hetim për këtë, institucionet e specializuara po bëjnë një hetim dhe inkurajoj që ai të jetë i thellë, i plotë dhe personat përgjegjës të dalin përpara drejtësisë”, deklaroi Haxhinasto.

Top Channel