
Gjykata e Krimeve të Rënda rrëzoi sërish kërkesën e ish-prokurorit Haxhi Giu, i cili përmes avokatit të tij kërkoi ndryshim të masës nga arrest me burg në një tjetër më të lehtë. Por, ndërsa avokati përsëriti se gjendja shëndetësore e ish-prokurorit është shqetësuese, ekspertët e mjekësisë ligjore kanë deklaruar të kundërtën.
Dy ekspertë i janë përgjigjur gjykatës me akt ekspertize, ku nënvizojnë se ish-prokurori vuan nga hipertensioni kardiak. Por, sipas ekspertëve, nga kjo sëmundje atij nuk i rrezikohet jeta në burg, siç edhe pretendon mbrojtja, ndërkohë që, sipas tyre, ish-prokurori duhet të mbahet nën konsultën e kardiologëve.
Në seancën e radhës nuk ishte paraqitur asnjëri nga të pandehurit. Ish-prokurori akuzohet për korrupsion pasiv, pasi, sipas prokurorisë, ishte parapaguar me 29 mijë euro për të lehtësuar pozitën e vëllait të Aleks Shporit, i cili ndodhej nën gjykim për çështje droge.
Top Channel