Agjentë të policisë së Tiranës kanë arrestuar në orët e fundit presidentin e ekipit të Kastriotit, Alban Vogli.
Burime policore zyrtare bëjnë të ditur se arrestimi i Alban Voglit është bërë për shkak të dhunimit të një gazetari.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në rrugën “Muhamet Gjollesha”, ku Vogli ka tentuar të marrë me forcë në mjetin e tij gazetarin sportiv Eduard Ilnica, që punon pranë televizionit Telesport.
Burimet shtojnë se materialet hetimore i kanë kaluar prokurorisë, për akuzat “heqje të lirisë” dhe “ushtrim dhune për shkak të detyrës”. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23 të së hënës, në zonën e Zogut të Zi në kryeqytet.
Gazetari Ilnica është dërguar menjëherë në urgjencën e Spitalit të Traumës, ku i është dhënë ndihma e parë. Burime spitalore bëjnë me dije se ai ka pësuar fraktura dhe hematoma nga goditjet.
Dhunën ndaj gazetarit Ilnica e dënoi edhe përfaqësuesja e OSBE-së për lirinë e medias, Dunja Mijatoviç. Ajo u bëri thirrje autoriteteve shqiptare të realizojnë një hetim të shpejtë dhe të plotë të incidentit.
Mijatoviç e përshëndeti reagimin e shpejtë të policisë dhe kërkoi që hetimi i ngjarjes të japë rezultate të menjëhershme dhe të çojë fajtorin përpara drejtësisë.
Top Channel