Pallatet te Liqeni, Veliaj fton qytetarët në protestë para gjykatës

10/05/2016 00:00

Të mërkurën, Gjykata Administrative e Apelit do të shqyrtojë padinë e Bashkisë së Tiranës për anulimin e lejes për kompleksin e pallateve pranë digës së liqenit artificial. Bashkia kërkoi ndryshimin e trupit gjyqësor, pasi sipas kryetarit Veliaj, në përbërje të tij ka të afërm të ndërtuesve që po investojnë në këtë projekt. Por gjykata ka refuzuar kërkesën për të ndërruar gjykatësit.

“Janë gjyqtarë, të cilët sapo janë caktuar nga Presidenti i Republikës posaçërisht për këtë gjyq, në këtë trupë që është e blinduar me familjarët e tyre. Një gjyqtare, në një fshehtësi kriminale, ka marrë një vendim për të rrëzuar kërkesën tonë për ndërrimin e trupës gjykuese. Pa i dhënë mundësi palës që e kërkon ndryshimin e trupës, të japë argumentet e saj. Në këtë situatë, kur gjyqësori në Shqipëri ka rënë dhe nuk i garanton askujt të drejtën të dëgjohet në gjykatë dhe të shpalosë provat përpara gjykatësit, nuk kemi asnjë mundësi tjetër përveçse të ftojmë të gjithë qytetarët nesër në orën 11, në Gjykatën Administrative të Apelit, që gjendet tek ish-Ministria e Mjedisit, në rrugën e Durrësit. Kush ka vendosur që t’i rrisë fëmijët në këtë qytet, nesër në orën 11 duhet të jetë përpara gjykatës”, është shprehur Erion Veliaj, kryebashkiak i Tiranës.

Top Channel