“Dekriminalizimi” nis me Roshin. Prokuroria kërkon të dhëna

10/05/2016 13:00

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla i kërkoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të paraqesë materialet paraprake të Elvis Roshit, kryetar i Bashkisë së Kavajës. Kërkesa e kryeprokurorit vjen pasi, në formularin e vetëdeklarimit të Roshit ka të dhëna të pasqaruara, të cilat kërkojnë verifikim më të thelluar.

Në një njoftim për shtyp, Prokuroria bëri të ditur se Elvis Roshi do të jetë i hetuari i parë i ligjit të “Dekriminalizimit”. Dy ditë më parë, Partia Demokratike deklaroi se kryebashkiaku i Kavajës kishte shkruar në formular se ishte ndaluar në Gjermani dhe më pas ishte dëbuar, por nuk i kujtohej se pse, ndaj ishte rezervuar ta jepte këtë informacion më vonë.

Kjo, sipas PD-së ishte një shkelje e rëndë, ndërsa vet Roshi deklaroi se avokatët e tij po zbardhnin detajet e ndalimit dhe dëbimit, e do t’i bënin zyrtarisht të ditura për publikun më vonë. Por, është Prokuroria, ajo që duket se do ta kryejë këtë hetim, ndaj ajo kërkoi në mënyrë zyrtare të gjithë informacionin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Prokuroria e Përgjithshme ka ngritur tashmë strukturën e posaçme të sajën, e cila do të verifikojë integritetin e zyrtarëve shqiptarë bazuar në ligjin për “Dekriminalizimin”. Prokuroria do të jetë organi kryesor i hetimit të zyrtarëve, ndaj ajo bëri thirrje publike gjatë së martës për të gjithë qytetarët apo institucionet ligjzbatuese, që të njoftojnë organin e akuzës mbi rekorde të mundshme kriminale të zyrtarëve, brenda apo jashtë vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA