Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati zhvilloi një vizitë zyrtare në Portugali, ku u takua me homologun Augusto Santos Silva.
Gjatë takimit, dy ministrat konfirmuan vullnetin për të thelluar më tej marrëdhëniet dypalëshe, si dhe për të arritur një sërë marrëveshjesh me qëllim krijimin e një mjedisi më të favorshëm për bashkëpunimin ekonomik, në fusha si turizmi dhe trajnimi profesional.
“Reformat tona shtetkonsoliduese kanë si fokus kryesor përforcimin e sundimit të ligjit në ekonomi. Ky është gurthemeli i programit tonë për më shumë zhvillim ekonomik, një klimë të përmirësuar për bizneset dhe një mjedis më të sigurt për investimet evropiane, përfshirë ato portugeze, në Shqipëri”, u shpreh ministri Bushati.
Shefat e diplomacive u ndalën edhe mbi ecurinë e proceseve integruese në Shqipëri dhe në rajon. Bushati e njohu homologun portugez mbi progresin e bërë nga qeveria shqiptare në adresimin e pesë prioriteteve kyçe, ku finalizimi i reformës në drejtësi mbetet e një rëndësie parësore në funksion të hapit të radhës të këtij procesi.
“Dëshiroj të falënderoj qeverinë e Portugalisë për mbështetjen e pandryshuar në avancimin e procesit të integrimit të Shqipërisë”, tha më tej Bushati.
Ndërsa ministri Silva, nga ana e tij, vlerësoi rolin stabilizues të Shqipërisë në rajon. “Shqipëria luan një rol kyç për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Silva.
Ministrat diskutuan edhe mbi krizën e refugjatëve, efektet anësore të kësaj krize për BE-në, si dhe sfidat e sigurisë, duke ndarë mendimin mbi nevojën për një koordinim edhe më të ngushtë në përballimin e tyre.
Në vijim të vizitës së tij, ministri Bushati mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Konsullatës së nderit, ku shprehu një falënderim të veçantë për komunitetin shqiptaro-portugez që jeton dhe punon në rajonin e Lisbonës.
Konsullata e re e nderit do të funksionojë në premisat e Institutit Luso-Ilir, një fondacion i krijuar nga konsulli Laurenco de Carvalho për përforcimin e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Portugalisë në fushën e arsimit dhe kulturës, me mbështetjen e veçantë të UNESCO-s.
“Falë angazhimit dhe përkushtimit të këtij komuniteti, marrëdhëniet midis dy vendeve janë përforcuar jo vetëm në rrafshin politik, por në të gjitha fushat”, u shpreh ministri Bushati.
Top Channel