Bozdo: Veliaj fton njerëzit të protestojnë përpara Gjykatës së Apelit?!

10/05/2016 21:35

Ish-nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo, reagoi pas deklaratave të kryetarit aktual të këtij institucioni, Erion Veliaj, i cili ka ftuar qytetarët që të mërkurën në orën 11 të jenë sa më të shumtë përpara Gjykatës së Apelit Administrativ, pas vendimit të gjykatës për çështjen e ndërtimit të pallateve te diga e Liqenit të Tiranës.

“Tipike revolucionare! Sovjetët mbi gjithçka! Ftesë për të dhunuar drejtësinë pasi ka dhunuar Tiranën. Kërkon të heqë vëmendjen nga Kulla me Stadium në mes të Tiranës, nga lejet për kullë në lulishten pas “Qemal Stafës”, nga kulla tek këndi i lojrave “7 xhuxhët”, nga leja të lulishtja pas TOB-it, nga leja për kullë në sheshin “Skënderbej” dhe tek lulishtja përballë Muzeut Historik Kombëtar, si dhe nga betonizimi i Parkut të Liqenit. Kështu kërkon të fshehë përgjegjësinë para qytetarëve të Tiranës njeriu që mashtroi se nuk do të rriten taksat, mashtroi se nuk do të rritet çmimi i biletës, mashtroi se nuk do lejonte asnjë ndërtim në Tiranë”, deklaroi Bozdo.

“Të gjitha këto janë bëmat e tij, vetëm në një periudhë 10-mujore. Vreri i lëshuar sot tregon shumë për mënyrën sesi ai po e qeveris Tiranën. Por qytetarët e njohin, Tirana e njeh, të gjithë e njohin. Dhe askush nuk e respekton!”, shtoi Bozdo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA