
Tahir Muhedini, deputet i PDIU: “Në 2017 ne do të përfaqësohemi me 10 deputetë. Elektoratin e kemi, juve ju kemi. Mjaft u lodhëm me forcat e mëdha”.
Kjo u deklarua në takimin që PDIU organizoi në qytetin e Fierit. Kjo forcë politike po punon për shtimin e radhëve të saja, ndërsa në takim është theksuar edhe qëndrimi i kësaj force për çështjen kombëtare.
“Pa dyshim ne do të dimë të bëjmë presionin tonë. Dhe kush ka bërë marrëveshje me ne, asaj do i shkojë deri në fund, sepse ndryshe PDIU nuk do ta ketë më me vete. Votat tuaja, mbështetja juaj janë obligim për ne. Nëse ka dikush që mendon që ne nuk do të bëjmë presion që marrëveshja të zbatohet jo vetëm në Fier po në të gjithë Shqipërinë”, tha Shpëtim Idrizi, kryetar i PDIU.
Deputetët e PDIU në takim theksuan nevojën e realizimit të marrëveshjeve që kjo forcë politike ka në koalicionin aktual.
“Motrat dhe vëllezërit tanë çam janë zemra që rreh për kauzën tonë patriotike. Ajo që beson fort në realizimin e saj dhe që me energjinë pozitive, dashurinë për Atdheun dhe dëshirën për progres ka bindur që pjesa e kauzës tonë të marrë të gjithë shqiptarët që na kanë votuar”, tha Omer Mamo, deputet i PDIU.
Në takim merrte pjesë edhe deputetja Mesila Doda, e cila është afruar së fundmi pranë PDIU pas largimit nga PD.
“Ne jemi në shërbim të njerëzve, të shqiptarëve, çështjes çame, kauzës kombëtare”, tha Mesila Doda
Top Channel