
Kryeministri Rama ishte në Korçë për të parë nga afër ecurinë e punimeve në aksin rrugor Qukës-Qafë Plloçë, që bashkon qytetin jug-lindor me Tiranën.
Ky investim prej 152 milionë dollarësh është parashikuar të arrijë deri në 43 km gjatësi dhe ndryshe nga projekti i vitit 2011, në të janë parashikuar 120 ura e nënkalime, si dhe elementë të shumtë sigurie që do t’u vijnë në ndihmë udhëtarëve.
“Një nga problemet kryesore që kishte projekti ishte një mur me rrugë, ku asnjë nga njerëzit e gjithë kësaj hapësirë nuk kishte asnjë lloj aksesi. Pastaj, me dëmin përkatës për ekonominë dhe për aspektin social”, deklaroi Rama.
Ndalesa e radhës ishte landfilli i Maliqit, që do të presë mbetje urbane nga 6 bashki të qarkut për 20 vitet e ardhshme. Investimi me vlerë 5 milionë euro do të shtrihet në një sipërfaqe prej 19 hektarë. Ajo çka e bën të veçantë këtë investim, tha kryeministri, është modeli i menaxhimit të përbashkët, si i pari në vend.
“Modeli është ai i duhuri dhe është një shembull edhe për zonat e tjera, që bashkitë, duke shfrytëzuar edhe reformën territorial-administrative, të lidhen me njëra-tjetrën në mënyrë që të ulin shpenzimet dhe të rrisin cilësinë e shërbimit të mbledhjes dhe përpunimit të mbeturinave”, tha Rama.
Boçi: Rruga e iniciuar nga PD
Deputeti i PD, Luçiano Boçi ka ironizuar inspektimin që kryeministri Rama i bëri punimeve të rrugës Qukës-Qafë Plloçë, duke deklaruar se bëhet fjalë për një investim të nisur nga qeveria demokratike.
“Rama, i përqendruar tek kullat e tij të betonit, “harroi”, ose më saktë bëri sikur harroi, se rruga Qukës-Qafë Plloçë është tërësisht projekt i qeverisë së Partisë Demokratike dhe i financuar në fillimet e saj po nga Partia Demokratike, si domosdoshmëri e zhvillimit ekonomik e social të asaj zone”, tha Boçi.
Sipas tij, Rama harroi edhe që tashmë ajo duhet të ishte e përfunduar nga qeverisja e tij, si detyrim ndaj premtimeve.
“Kryeministri që “zihet me rrobat e veta”, zihet akoma më keq me projektet që u vijnë në ndihmë komuniteteve. Aq më tepër kur janë iniciuar nga PD. Prandaj sot ato janë braktisur, sikurse kjo rrugë, në mëshirë të fatit dhe të thërrimeve që Rama i akordon në prag zgjedhjesh dhe thjesht për propagandën e rradhës. I kapur tek “maja e thanës” (kullës), na flet si e “ëma e Zeqos””, u shpreh Boçi.
“Njeriu që nuk ka ndërtuar asnjë kilometër asfalt vetë, përveçse kilometrave betone kudo, në lulishte e qendër qytetesh, kërkon të mburret me ato që i lamë gati e që kurrë nuk i përfundoi”, vijoi deputeti i opozitës.
Top Channel