OSHEE: Akuzat të pabaza. “Kronos”, kontrata edhe gjatë qeverisjes së PD

02/05/2016 17:15

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka reaguar ndaj akuzave publike të lëshuara ditën e sotme nga Partia Demokratike, duke deklaruar se kompania “Kronos”, si shumë subjekte të tjera, ka marrë pjesë në procedurat e garës për investimet në rrjetin e shpërndarjes.

“Çdo procedurë ka ndjekur me rigorozitet përcaktimet ligjore, në një proces krejtësisht transparent dhe online, mbikëqyrur nga Agjencia e Prokurimeve Publike. Fakt ky i pranuar edhe nga Partia Demokratike, e cila publikon në media pikërisht të dhënat që i akseson çdokush online tek faqja zyrtare e Agjencisë së Prokurimeve Publike”, thuhet në një reagim për shtyp.

Në këtë dokument sqarohet se, “kjo kompani ka rezultuar fituese në disa prej garave ku ka marrë pjesë, ndërsa vlera financiare e kontratave, ndryshe nga sa pretendon PD, nuk është 11 miliardë lekë por rreth 1/3 e kësaj shumë”.

“Gjatë gjithë procesit të garave të zhvilluara, përpara, gjatë apo pas konkurrimit nuk ka patur asnjë ankesë nga ndonjë palë e subjekt i interesuar”, vijon njoftimi.

Në të vihet në dukje se, “kompania “Kronos” fluksin më të madh të punimeve të kryera e ka në periudhën 2006-2013, kohë kur Partia Demokratike ishte në pushtet”.

“OSHEE vlerëson se përmes spekulimeve të vazhdueshme e të qëllimshme, Partia Demokratike po tenton të frenojë procesin e rimëkëmbjes së Operatorit të Shpërndarjes”, thuhet më tej në njoftim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA