
Qeveria ka vendosur në dispozicion një buxhet prej 5 miliardë lekësh për hapjen dhe mirëmbajtjen e kanaleve të ujitjes dhe të kullimit.
Kryeministri Edi Rama ishte në Korçë në zonën e Lumanasit, ku inspektoi ecurinë e këtij procesi.
Kreu i qeverisë tha se synimi është që deri në fund të vitit të ardhshëm të dyfishohet sipërfaqja e tokës së ujitshme në vend.
“Deri në fund ta çojmë në 200 mijë hektarë dhe të krijojmë një bazë tjetër për të gjithë njerëzit që duan të jetojnë me punë të ndershme në fshat sepse ka shumë që për vite të tëra janë lënë të jetojnë me dhunë për shkak të mungesës së ujit”, u shpreh kryeministri.
Gjatë qëndrimit në Korçë, kryeministri Rama vizitoi edhe një pikë moderne grumbullimi, magazinimi dhe tregtimi të mollëve që ka përfituar nga skemat e qeverisë për mbështetjen e bujqësisë.
“Kushdo që punon në atë copë tokë që ka, të ketë pikën ku dorëzon prodhimin dhe të ketë të garantuar shitjen përmes pikës. Nëse realizohet kjo, historia ka ndryshuar përfundimisht në bujqësi”, tha ai.
Top Channel