Partia Demokratike prezantoi këtë të shtunë në Vlorë platformën e saj për shëndetësinë, në një event ku të pranishëm ishin edhe mjekë, specialistë të fushës, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Në fjalën e tij, kreu i Departamentit për Shëndetësinë, Tritan Shehu tha se, sot vendi përballet me një sistem shëndetësor në të cilin nuk respektohen të drejtat e qytetarit për shërbim bashkëkohor dhe nuk mbrohet dinjiteti i personelit shëndetësor.
“Kemi një sistem shëndetësor ku dhe depozitat shëndetësore të qytetarëve në Fondin e Sigurimeve “sekuestrohen” nga shteti për të mbushur defiçitet e tij, në vend që këto 25 milionë dollarë të investohen për përmirësimin e shërbimit”, tha Shehu.
Ai theksoi se, “në shërbimin që ofron PD nuk programohet por financohet për specializimet dhe kualifikimet e personelit, me qëllim ngritjen e tij shkencore, si dhe për hapjen e shërbimeve të reja”.
“Karakteristikë e sistemit tonë është “varfëria falas” e tij, centralizmi shtetëror, luftimi i keqmenaxhimit dhe mungesës së vizionit zhvillues”, theksoi Shehu.
Ai shtoi se, duke e vendosur në qendër të sistemit pacientin dhe duke konsideruar thelbësor rolin e vlerat e personelit, “ne mund t’i japim shoqërisë e kolegëve tanë atë që është thelbësore: shëndet e dinjitet për të gjithë”, u shpreh Shehu.
Top Channel