
Rreth 130 sipërmarrje hapën dyert për 8.000 vende të reja pune që nga telekomunikacioni, industria përpunuese, ndërtimi, sektori bankar apo industria ushqimore.
Kryeministri Rama përfitoi nga ceremonia e çeljes së Panairit 3-ditor të Punës për t’u bërë thirrje të rinjve që të kthejnë sytë nga arsimi profesional.
“Në gjithë vitet që pararendën ardhjen tonë në qeveri është sponsorizuar dembelizmi masiv dhe mungesa e arsimit profesional ka shkëputur kërkesën nga oferta. Prandaj besojmë se kthesa që kemi filluar të marrim duke hapur korsinë e arsimit profesional është zgjidhja e duhur në aftmesëm dhe afatgjatë”, deklaroi Rama.
Ndërsa ministri i Mirëqënies Sociale, Blendi Klosi tha se në të gjithë vendin zyrat e punësimit ofrojnë 31 mijë vende pune. “Shkodra, Berati dhe qytete të tjera kërkojnë profesionistë. Kjo tregon se në Shqipëri ka vende pune por duhen profesionistë”, tha Klosi.
Kjo është hera e parë që panairi ofron punë edhe për profesionistë në media. Në stendën e grupit mediatik Top Media ofrohen dy lloje formularësh, për punësim në të gjitha kategoritë e punës që ofron media dhe për projekte televizive apo radiofonike për të stimuluar sa më shumë talentet e reja.
“Jam student gazetarie dhe kërkoj praktikë pune, pse jo edhe punësim. Mund të jem gazetar i mirë në sektorin sportiv”, thotë një prej të rinjve të interesuar.
Top Channel: Çfarë shpresoni?
“Një të ardhme tek Top-i”, shprehet ai.
Top Channel