Garda sqaron qëndrimin: Në dokument cituam vendimin e gjykatës

27/04/2016 00:00

Me anë të një deklarate Garda e Republikës shpjegon përse ka kërkuar rrëzimin e padisë së familjarëve të viktimave të 21 janarit, që kërkojnë dëmshpërblim.

Në njoftim thuhet se, Garda ka parashtruar përpara Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, prapësimet në lidhje me çështjen me objekt:

Detyrimin e palës së paditur të paguajë në favor të paditësve shpërblimin e dëmit të plotë pasuror dhe jo pasuror, biologjik, moral ekzistencial, për humbjen e jetës së të ndjerit Ziver Veizi, i vrarë më 21 janar 2011 në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, përpara Kryeministrisë.

Dhe 2: dhënien e vendimit të gjykatës me ekzekutim të përkohshëm. Sipas njoftimit të Gardës, prapësimet, siç quhet ndryshe kërkesa për rrëzimin e padisë, janë ndarë në disa pjesë siç janë:

Proçedura e ndjekur nga pala paditëse, masat e marra nga kryeministri i vendit për vlerësimin e dëmit të pësuar nga viktimat e 21 janarit, ç’është Garda e Republikës së Shqipërisë, misioni i saj, vendimi penal i Gjykatës Apelit Tiranë numër 793, praktika për ngjarje të ngjashme.

Në njoftim thuhet se pjesët e cituara nga Top Channel janë marrë nga pika 4 e prapësimeve, ku Garda ka bërë një përmbledhje të gjetjeve dhe konstatimeve të Gjykatës së Apelit Tiranë, mbi të cilat u mor vendimi për shpalljen fajtor të të akuzuarve për “vrasje nga pakujdesia”.

Në njoftim thuhet se, “pra, ç’ka citon Top Channel sqarojmë se është pjesë e përmbajtjes së vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë, numër 793, datë 18.09.2013 dhe jo qëndrim apo konstatim i Gardës së Republikës”.

Top Channel