Vijojnë protestat në Maqedoni, nuk ka sinjale për uljen e tensioneve

26/04/2016 00:00

Lëvizja qytetare “Protestoj” për dy javë me radhë vijon t’i mbush rrugët me qytetarë të pakënaqur nga vendimi i presidentit maqedonas George Ivanov për amnisti.

Zemërimin e demonstruesve e ka shtuar edhe më tepër, arrestimi i dy aktivistëve maqedonas paraditen e së hënës, për të cilët Gjykata Themelore në Shkup caktoi masën e “arrestit shtëpie”.

Ata, akuzohen se kanë sulmuar dy javë më parë një zyrë të presidentit në qendër të Shkupit, që shërben për takime me qytetarët.

Për protestuesit antiqeveritar është e palogjikshme që të dënohet qytetarët që shprehin pakënaqësinë e tyre kundër një vendimi për faljen e kriminelëve.

“Dikush falet nga presidenti, ndërsa dikush duhet të vuaj dënim vetëm pse proteston kundër vendimit për falje”, shprehet një qytetar.

“Ata që falin kriminelë dhe i nënçmojnë qytetarët që protestojnë kundër krimit duhet ta kenë të qartë se ne nuk frikësohemi dhe nuk do t’i lejomë ta shkatërrojnë shtetin”, thotë një tjetër.

Protestat antiqeveritare prej disa ditësh janë shtrirë në disa qytete të Maqedonisë.

Krahas kërkesës për shfuqizimin e vendimit për amnisti protestuesit po kërkojnë edhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve të parakohshme të caktuara për më 5 qershor.

Ndërkohë, pas dështimit të takimit të Vjenës i thirrur nga faktori ndërkombëtar, nuk ka asnjë sinjal për ndonjë takim të mundshëm mes partive kryesore në vend për uljen e tensioneve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA