Suedia nën kërcënim terrorist; 8 militantë të ISIS në Stokholm

26/04/2016 13:20

Shërbimi suedez i inteligjencës, Sapo, është duke hetuar mbi një kërcënim të mundshëm terrorist në kryeqytetin e vendit, Stokholm.

Nga sa shkruajnë mediat lokale, autoritetet irakiane i kanë informuar kolegët suedezë se 7 apo 8 militantë të Shtetit Islamik kanë udhëtuar drejt Suedisë.

Zëdhënësi i Sapo-s nuk e konfirmoi zyrtarisht marrjen e një informacioni të tillë, por në një intervistë radiofonike u shpreh se të dhëna të kësaj natyre për çdo rast nuk mund të anashkalohen.

Alarmi nga kërcënimi terrorist në vend është në nivelin 3 nga një shkallë me 5 nivele të tilla. Agjencitë kombëtare dhe policia duket se janë vënë në gjendje gadishmërie edhe pse Sapo sqaron se ka marrë “shumë shpesh” informacione të këtij lloji.

Një ditë më parë, kreu i shërbimit sekret amerikan James Clapper pohoi se ISIS-i ka celula klandestine në disa vende të Europës, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë dhe Italinë.

“Vazhdojnë të na bien në duar informacione që dëshmojnë se Shteti Islamik komploton në të treja këto vende”, ishte komenti i tij.

Militantët, sipas Clapper, kanë përfituar nga kriza e zgjatur e emigrantëve në Europë, ndërsa ekspertë të tjerë mendojnë se problemi më i madh i kontinentit të vjetër vazhdon të mbetet mungesa e bashkëpunimit dhe e ndarjes së informacioneve të inteligjencës me të tjerët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA