
Dimri është rikthyer me temperatura të ulëta dhe reshje dëbore. Mbrëmjen e së hënës, në verilindje, në Dibër e Kukës, por edhe në juglindje të vendit, në Korçë, Kolonjë e Përmet,ka patur edhe reshje dëbore në zona te larta.
Dëbora ka rënë edhe në malin e Dajtit në Tiranë, por edhe në zona të larta në tërë vendin. Ndërsa në zonat e ulëta kishte reshje të forta të shiut.
Sipas parashikimeve, java e fundit e këtij muaji dhe fillimi i majit do të jenë të paqëndrueshme, me reshje dhe luhatje të temperaturave.
“Duke filluar nga mërkura do të kemi depërtimin e masave më të ngrohta me origjinë Mesdhetare dhe një rritje të temperaturave, por do të mbetet një mot relativisht i paqëndrueshëm. Por, do të kemi rritje të temperaturave e që do të sillen deri në 25 gradë celsius. Sërish do të kemi ndryshime në kushtet e motit, pra në fundjavë, sërish të dielën dhe fillimin e javës së ardhshme pritet të aktivizohet një masë e ftohtë mbi territorin e Shqipërisë dhe do të sjellë rënie të temperaturave”, tha Rezarta Xhekollari, meteorologe.
Temperaturat në muajin prill arritën deri në 30 gradë celsius, por ato u ulën me shpejtësi në ditët e fundit dhe vlera më e ulët u shënua 1 gradë, mëngjesin e të martës në Peshkopi.
Top Channel