Kapitulli sekret për sulmet e 11 shtatorit 2001 mund të hapet. Bëhet fjalë për një dokument të fshehtë të cilin nuk e kanë lexuar veçse një grusht zyrtarësh amerikanë e që prej hartimit të tij në 2002-shin ndodhet në një zonë të sigurtë të Kongresit.
Si në Dhomën e Përfaqësuesve, thotë “Zëri i Amerikës”, ashtu dhe në Senat janë paraqitur projekt-ligje që kërkojnë bërjen e tij publike.
Gati 15 vjet nga sulmet terroriste të 11 shtatorit, kur 2 avionë të rrëmbyer u përplasën në Kullat Binjake të Nju Jorkut, një në ndërtesën e Pentagonit në Uashington dhe i fundit, në një fermë të Pensilvanisë, tragjedia është rikthyer në vëmendje.
Janë rreth 28 faqe të raportit që përmbajnë hollësi nga mbështetja e vendeve të tjera për autorët e sulmit, të cilat mund të bëhen së shpejti publike.
Pavarësisht klasifikimit si “top sekret”, ata që e kanë parë këtë pjesë të dokumentit kanë bërë aludime rreth lidhjeve të Arabisë Saudite me rrëmbyesit dhe shumë po kërkojnë të dinë se për çfarë lidhjesh konkrete bëhet fjalë.
Ish-senatori Bob Graham, i cili ka qënë anëtar i komisionit, u shpreh dy ditë më parë se kjo pjesë e raportit duhet botuar për t’i dhënë fund debatit rreth saj, në mënyrë që dhe populli amerikan të vendosë vetë për çfarë do të shohë në të. I pyetur nëse botimi i 28 faqeve do të kishte ndikim negativ në nivel të lartë, ai u përgjigj “PO”.
Top Channel