“Është absurde të tërheqësh Shqipërinë në betejën për Brexit”. Ky është titulli një editoriali shkruar nga kryeministri Edi Rama si përgjigje ndaj Michael Gove që sugjeronte se Britania mund të braktiste partneritetin e saj me Europën e ta zëvendësonte atë me një partneritet jashtë BE-së me Shqipërinë.
“Unë jam një shqiptar dhe një ballkanas krenar, por nuk mund të pretendoj se kemi fuqinë politike dhe ekonomike për të qenë rivalë të BE-së, që ka ndihmuar me vendosjen e paqes dhe sjelljen e begatisë në shumë vende, prej shumë kohësh tanimë. Nuk mund ta rivalizojmë këtë bllok me këtë treg të vetëm, që është një nga organizimet më mbresëlënëse tregtare në botë, jo vetëm tani, por përgjatë gjithë periudhave të historisë së njerëzimit”, thotë Rama në “The Times”.
Qëndrimet e ministrit Grove shihen nga Rama si reklamë për Shqipërinë. “Dëshiroj të falënderoj zotin Gove për dozën e mirë të publicitetit, që përkon me hapjen e fushatës turistike para verës për të tërhequr pushuesit britanikë në qytetet tona historike dhe plazhet e bukura. E ndërkohë që ne ftojmë investitorë të vijnë dhe të eksplorojnë mundësitë e mëdha që vendi ynë ofron për investime, britanikët që do të vijnë në Shqipëri, do të kenë mundësi të ndjekin bashkë me shqiptarët fatin e ekipit tonë kombëtar që merr pjesë për herë të parë në një kampionat madhor, finalet e Kampionatit Europian në Francë. Është vërtetë kohë e bukur për të qenë shqiptar”, shprehet Rama.
Kryeministri Edi Rama në këtë editorial pozicionohet kundra daljes së Britanisë nga BE kur thotë se, “Si një mik dhe dashamirës i Britanisë, shpresoj sinqerisht se ju do të votoni për të qëndruar pjesë e Bashkimit Europian”.
“Nuk ka dhe as nuk mund të ketë një konfederatë Britaniko – Ballkanike jashtë Bashkimit Europian. Për aq kohë sa ne duam t’i tejkalojmë marrëdhëniet aktuale mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian e të bëhemi vend anëtar i BE, modeli ynë i tanishëm nuk mund të jetë modeli që synon Britania. Jam plotësisht i bindur se qëndrimi i Britanisë në Bashkimin Europian është gjëja më e mirë për Europën, por edhe për Shqipërinë”, shton Rama.
Top Channel